Vala e parë e të ftohtit për vitin 2017
05/01/2017
E shkurtër por intensive: do të jetë vala e parë e të ftohtit për vitin 2017. Spostimi i Anticiklonit Atlantik në lartësi veriore ka shkaktuar një lëvizje të rrymave të akullta me origjinë arktiko/kontinentale në drejtim të kontinentit Europian.
Ballkani do të jetë objektivi kryesor i kësaj rryme të ftohtë që do të ndikojë kushtet meteorologjike deri në mes të javës së ardhshme. Një qendër e presionit të ulët e pozicionuar fillimisht mbi detin Jon dhe Italinë Jugore do të lëvizë gradualisht në drejtim të lindjes duke sjellë mot të paqëndrueshëm fillimisht gjatë ditës së sotme dhe më pas uljen të fortë të temperaturave që do të na shoqërojë për disa ditë.
Reshjet do të bien kryesisht gjatë mesditës dhe pasdites së sotme në të gjithë vendin. Në zonat malore, fillimisht në veri dhe më pas në jug, reshjet do të jenë në formë bore. Duke filluar nga mbrëmja e sotme rrymat e ftohta do të prekin vendin tonë, shoqëruar me rënie të ndjeshme të temperaturave dhe intensifikim të reshjeve, të cilat gjatë orëve të natës dhe atyre të para të mëngjesit mund të bien në formë bore edhe në zonat e ulta të vendit, duke përfshirë ndoshta edhe kryeqytetin.
Gjatë ditës së premte reshjet do të jenë prezente vetëm ne pjesën jugore dhe lindore të vendit; ato do të bien në formë bore edhe ne zonat e ulta. Pjesa tjetër e vendit do të jetë nën mot të vranët.
Temperaturat do të pësojnë rënie drastike deri me 15°C. Piku i të ftohtit do të arrihet ditën e shtunë kur vlerat minimale do të zbresin në vlera negative në të gjithë territorin e vendit. Mëngjesin e të dielës temperaturat do të zbresin deri në -7°C në bregdet, -11°C në zonat e ulta dhe nën -20°C në zonat malore.
Lëvizja e qendrës së presionit të ulët drejt lindjes do të sjellë gjatë fillimit të javës së ardhshme përmirësim të kushteve atmosferike dhe rritje graduale të temperaturave që gjithsesi do të mbeten në vlera nën mesataren klimaterike.
Burimi: MeteoTirana dhe MeteoNetwork.it
© 2017 MeteoTirana