Rikthimi i motit të butë dhe të lagësht.
Edhe dita e sotme do të jetë e karakterizuar nga masat ajrore me origjinë lindore në kuotë, për rrjedhojë temperaturat do të mbeten në vlera pak më të ulta sesa mesatarja. Mëngjesin e sotëm termometri ka zbritur në vleren prej 0.4°C në Tiranë dhe në zonat kodrinore e malore temperaturat kanë qenë negative.
Duke filluar prej pjeses së dytë të ditës së nesërme në vendin tonë do të futen gradualisht masa ajri më të buta dhe të lagështa. Këto masa, në pjesën e dytë të javës së ardhshme, pra ditët e para të muajit shkurt, do të shoqërohen me reshje të lehta shiu dhe bore në zonat malore mbi 800 metra në lindje të vendit.
Fig.1: Analiza e fronteve ajrore, satelitit dhe temperatura e matur në kontinentin Europian mëngjesin e së shtunës.
Ditët në vijim pas shumë përpjekjesh duket se rryma hemisferike polare do t’ja dalë të shtyje drejt lindjes kupolën anticiklonike që ka mbizotëruar në pjesën më të madhe të kontinentit gjatë javëve të fundit. Për rrjedhojë mbi kontinentin Europian do të kemi dominim të masave ajrore të lagështa atlantike. Ky konfigurim atmosferik shoqëruar me uljen e frontit polar nga veri-perëndimi zakonisht mund të shtyjë rrymat perëndimore edhe në rajonin tonë duke sjellë gradualisht një klimë më të butë. Kjo mund të shoqërohet me mot kryesisht të paqëndrueshëm me origjinë oqeanike.
Në perspektivë pra mund të themi se pritet një mot i butë dhe lagësht gjatë 10-ditëshit të parë të shkurtit në rajonin e Mesdheut duke sjellë kompensim të deficitit të deritanishëm të reshjeve, dhe temperatura në mesataren e periudhës apo lehtësisht sipër saj.
Fig.2: Anomalia e presionit atmosferik në lartësinë 500 hPa. Spostimi i kupolës anticiklonike në lindje të kontinentit.
Burimi: MeteoTirana dhe MeteoNetwork.it
© 2017 MeteoTirana