Vështrim mbi kushtet meteorologjike gjatë kësaj jave.
Aksi i anticiklionit Atlantik mbetet mes Skocisë dhe Islandës duke mundësuar kështu zbritjen e rrymave të paqëndrueshme me origjinë atlantiko-veriore në pjesën më të madhe te Europës Qendër-Lindore.
Pikërisht në këtë zonë të kontinentit u formua edhe një qendër e presionit të ulët që për rrjedhojë solli mot të paqëndrueshëm edhe në rajonin tonë. Ditën e djeshme në kryeqytet u regjistruan 12.7 mm reshje. Moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë edhe gjatë orëve në vijim. Reshjet e shiut do të jenë prezente në formë rebeshesh. Në rajonin juglindor pritet gjithashtu zhvillim i fronteve të shkarkimeve elektrike çka mund të sjellë lokalisht intensifikimin e reshjeve.
Duke filluar nga dita e nesërme do të kemi një stabilizim të kushteve atmosferike dhe rritjen graduale të presionit atmosferik. Situata barike do të favorizojë mësymjen e parë por të shkurtër të rrymave të ngrohta me origjinë afrikane në pjesën e dytë të javës.
Mund të flasim për një “verë të hershme” e cila do të kulmojë ditën e premte me temperatura që në Ultësirën Perëndimore do të prekin 30°C. Moti pritet të jetë i qëndrueshëm edhe gjatë ditëve që do të pasojnë me temperatura në mesataren e periudhës.
Burimi: MeteoTirana