Vështrim mbi thatësirën e tejzgjatur të rajonit tonë.
Prej kohësh pjesa dërrmuese e vendit tonë dhe një pjesë e madhe e kontinentit Europian përballet me atë çka mund të cilësohet tashmë lirisht si një prej thatësirave më të vështira të dekadave të fundit.
Gjithashtu qartë flasin të dhënat e stacioneve tona meteorologjike në qytetin e Tiranës. Dita e fundit me reshje (≤ 0.3 mm) rezulton të jetë 25 maji, çka e çon numrin e ditëve të thata në plot 54. Stacionet tona meteorologjike janë aktive që prej vitit 2010 dhe kjo është thatësira më e zgjatur e regjistruar prej tyre. Edhe pse ka një mungesë të të dhënave më të hershme, gjasat janë që rekordi të mos jetë vetëm i këtij 7-vjeçari. Para kësaj thatësire rekordi mbahej nga ajo e verës se vitit 2012 me 35 ditë prej 6 qershorit deri më 11 korrik.
Edhe sipas EDO (Observatori Europian i Thatësirave), vendi ynë është ndër vendet më të prekura të kontinentit prej thatësirës. Shqipëria gjendet në deficit pluviometrik që prej Dhjetorit të vitit të kaluar, me situatën më alarmante në muajt Janar dhe Shkurt. Kjo anomali negative shfaq pasojat më të rënda sigurisht në muajt e verës falë motit të nxehtë dhe dëmeve të ndjeshme në mënyrë të drejtpërdrejtë në bujqësi. Reuters raporton se bujqësia në vendet e Mesdheut është prekur në mënyrë të frikshme nga kjo thatësirë. Prodhimi i drithërave dhe ullirit në këtë rajon është në nivelet më të ulëta të 20 viteve të fundit. Vetëm prodhimi i ullirit pritet të ketë një rënie me plot 60% në krahasim me vitin e kaluar.
Pjesa jugore e kontinentit Europian është më e prekura prej kësaj thatësire. Anomalitë negative më të theksuara të sasisë së reshjeve për muajin Qershor u hasën në jugun e Spanjës dhe Portugalisë, Italinë qendër-jugore si dhe bregdetin Adriatik prej zonës qëndrore të Kroacisë deri në jug të vendit tonë. Gjatë muajit të kaluar në zonat e lartpërmendura janë regjistruar më pak se 25% e reshjeve mesatare. Situata alarmante vazhdon edhe në momentet që flasim. Muaji Korrik ka vazhduar në gjurmët e Qershorit dhe reshjet e regjistruara kanë qenë minimale edhe gjatë këtij muaji në Mesdhe. Situata është e rënduar edhe në zonën e veriut të Francës dhe Benelux-it, si dhe në një pjesë të madhe të Europës qendër-lindore.
Situata paraqitet e rëndë edhe në vijim. Rajoni ynë dhe Europa jugore në përgjithësi do të vazhdojnë të jenë nën ndikimin e rrymave të ngrohta të ajrit dhe presionit të lartë atmosferik. Temperaturat e larta deri në 36°C si dhe moti i kthjellët do të jenë kryefjala e ditëve në vijim në vendin tonë. Thatësira duket se do të vazhdojë të zgjatet të paktën deri në fund të muajit Korrik kur modelet matematike shfaqin një mësymje të rrymave të freskëta në rajon prej Europës veriore, gjithsesi është ende herët për një verdikt të qartë. Na ndiqni në përditësimet e ardhshme si dhe vizitoni webfaqen tonë të re meteorologjike!