Tendenca meteorologjike deri në fund të muajit korrik.
Mëngjesin e sotshëm vendi ynë është gdhirë me një situatë meteorologjike krejtësisht të ndryshme krahasuar me atë të dy ditëve më parë. Temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme në të gjithë territorin e vendit sidomos në vlerat maksimale të cilat në qytetin e Tiranës kanë mbetur nën 30°C. Prej ditës së djeshme një front i freskët e i lagësht me origjinë Atlantike është duke prekur pjesën më të madhe të rajonit tonë. Këto rryma të freskëta në kontrast me ujrat mjaft të ngrohta të detit Adriatik kanë gjeneruar reshje të forta në formë shtrëngatash në mjaft zona të rajonit, kryesisht në rajonet italiane e kroate në brigjet e Adriatikut. Të jashtëzakonshme kanë qenë edhe reshjet e breshërit në rajonet Marche dhe Abruzzo në Itali.
Panorama në vendin tonë është pak më ndryshe. Pavarësisht se rrymat e freskëta dhe ulja e temperaturave është ndjerë në të gjithë vendin, reshjet e shiut kanë qenë sporadike dhe të izoluara kryesisht në zonat veriore dhe sidomos ato malore. Reshjet e shiut vazhdojnë të mungojnë në qytetin e Tiranës dhe përgjithësisht në pjesën më të madhe të vendit, çka nuk është aspak lajm i mirë për sektorin e energjisë dhe atë të bujqësisë. Kujtojmë se numri i ditëve pa reshje (≤ 0.3 mm) në Tiranë ka arritur në 62. Dita e nesërme gjithashtu do të karakterizohet nga moti i paqëndrueshëm dhe reshje shiu kryesisht në pjesën lindore të Shqipërisë. Era gjithashtu do të vazhdojë të fryjë me shpejtësi të moderuar deri në 20 km/h kryesisht nga Perëndimi. Edhe ditën e nesërme do të kemi një rënie të lehtë të temperaturave me 2-3°C si në vlerat minimale ashtu dhe në ato maksimale.
Ditët në vijim do të kemi largimin e masave të lagështa në drejtim të verilindjes së kontinentit. Si pasojë e rrotullimit të aksit të qendrës së presionit të ulët në detin e Veriut sipas drejtimit jugperëndim-verilindje, mbi Mesdhe do të favorizohet rikthimi i masave të nxehta afrikane dhe presionit të lartë atmosferik. Duke filluar prej ditës së premte do të kemi një rritje graduale temperaturash si në vlerat minimale dhe në ato maksimale, të cilat në fundjavë priten të mbërrijnë deri në 34-35°C në zonat më të nxehta të vendit. Rritja e temperaturave duket se do të vazhdojë të paktën deri në ditët e para të gushtit me vlera sërish deri në 37-38°C gjatë javës së ardhshme, ndërkohë gjendja e shkaktuar prej thatësirës pritet të rëndohet.