Analizë e verës së vitit 2017
Klima ka ndryshuar dukshëm, sigurisht. Duket një pohim i mirëqenë por, vetëm kush punon ose observon prej pasionit “pas kuintave” këtë degë të shkencës mund ta konfirmojë përtej ndjesive dhe kujtimeve personale – ndërkohë që dihet se meteorologjia me kalimin e kohës është kthyer në objekt diskutimi për këdo duke qenë e aksesueshme nga të gjithë dhe fatkeqsisht duke u “tallur” edhe prej atyre që supozohet të shpërndajnë informacion në mënyrë korrekte.
Ndryshimet klimatike në rajonin tonë, pavarësisht asaj çka ndodh në shkallë globale, vihen kryesisht re gjatë sezoneve verore të viteve të fundit: verërat kanë filluar të jenë shumë të nxehta, tepër, edhe për standardet e klimës sonë – mjafton vetëm të thuhet se tre verërat më të nxehta të periudhës së pasluftës së dytë botërore i përkasin 15 viteve të fundit.
Mes tyre hyn direkt kjo e vitit 2017 që sapo lamë pas. Arsyet: një qershor i nxehtë edhe pse pa valë të konsiderueshme të nxehti, një korrik i nxehtë edhe pse në mënyrë jo ekstreme dhe sidomos muaji gusht me një valë të jashtëzakonshme të të nxehtit në 10 ditët e tij të para. Gjatë kësaj vale temperatura në Tiranë shënoi dy herë, më 9 dhe më 11 gusht, 38.8°C, duke barazuar rekordin e stacionit tonë meteorologjik të 15 korrikut 2012.
Vera e këtij viti me një temperaturë mesatare prej 26.08°C vendoset kështu në vendin e dytë të verërave më të nxehta të regjistruara në vendin tonë menjëherë pas asaj të vitit 2012 me një temperaturë mesatare prej 26.66°C (vlerat e matura në stacionin meteorologjik të Tiranës, indikative për pjesën tjetër të vendit). Krahasimi kokë më kokë i verës së këtij viti me atë të vitit 2012 na thotë se qershori rezultoi më i freskët, temperatura mesatare 24.5°C përkundrejt 25.1°C më 2012, korriku 26.8°C përkundrejt 27.8 më 2012 dhe gushti 27.3°C përkundrejt 27.0°C më 2012. Përsa i përket vlerës maksimale absolute të regjistruar, siç u përmënd edhe më lart, rezultati është i barabartë me 38.8°C në të dy vitet.
Por pse janë shpeshtësuar këto stinë me të nxehtë ekstrem në Mesdhe? Përgjigja shkencore duket të konvergojë përherë në të njejtin shkaktar, të ashtuquajturat “qelizat e Hadley-t”, thënë më thjeshtë ai tip i qarkullimit të ajrit, i pozicionuar pak mbi ekuator, që ngjit ajrin e nxehtë deri në limitet e stratosferës, për tu ulur më pas në kuotë më në veri, në gjerësitë gjeografike të tropikëve. Ky qarkullim spostohet në mënyrë të pazakontë në veri për një arsye që me sa duket (ende objekt studimi i shkencës) është e lidhur direkt me ecurinë e sezoneve të monsuneve në Indi. Për rrjedhojë një fazë e tejzgjatur moti të qëndrueshëm, pa ndërprerje prej fronteve më të freskëta dhe më të lagështa, imponohet për muaj me rradhë mbi Mesdhe, njësoj sikur i gjithë qarkullimi i zakonshëm i masave ajrore në këtë pjesë të globit të spostohej pak mijëra kilometra më në veri.
Këto dinamika atmosferike na lënë të kuptojmë se ngrohja globale ose thënë më mirë ndryshimi klimatik nuk mund të reduktohet në idenë e thjeshtë se temperatura mesatare e globit është rritur; temperatura rritet, por kjo nuk ndodh në mënyrë lineare dhe jo detyrimisht në mënyrë të ngjashme në të gjitha stinët dhe në të gjitha zonat e planetit.
Edhe pse vera e këtij viti në letër rezulton “më e freskët” se ajo e vitit 2012, ajo që shumëkush nuk do të harrojë lehtë prej saj nuk është edhe aq i nxehti i madh, sa ç’është thatësira e paprecedentë e këtij viti, plot 78 ditë pa reshje të mirëfillta shiu, prej 26 majit deri me 12 gusht. Totali i reshjeve të kësaj vere ishte 37.9 mm, pothuajse të gjitha në muajin gusht, përkundrejt 65.2 mm të verës së vitit 2012. Thatësira e këtij viti solli probleme të mëdha bujqësore në të gjithë Europën jugore duke përfshirë edhe vendin tonë. Mes të tjerash një situatë hidrike mjaft të rënduar që përkthehet në kosto të mëdha të importit të energjisë. Kjo është padiskutim thatësira më e rëndë e këtij shekulli të ri, mbi të gjitha për deficitin e reshjeve që prej fundit të vitit të kaluar e deri në momentet që flasim.
Duhet thënë gjithashtu se është i pavërtetë miti qe bashkon të nxehtin ekstrem me thatësirën. Ky është viti i parë mes më të nxehtëve (dhe pjesërisht viti i kaluar) në të cilin kemi një deficit pluviometrik. Të gjithë të mëparshmit (pothuajse) rezultojnë në ose mbi mesataren e reshjeve. Kjo na jep një ide të mëtejshme mbi sa i luhatur mund të rezultojë regjimi klimaterik, edhe pse duket se ka një tendencë rritëse të temperaturës globale. Mund të themi lirisht se tanimë është e pakuptimitë të krahasosh klimën aktuale me dekadat e kaluara nëpërmjet normave meteorlogjike 30-vjeçare të cilat nuk kanë më lidhje me klimën aktuale – karakterizuar nga alternimi i periudhave të tejzgjatura të së nxehtit ekstrem me faza të shkurtra të të ftohtit ekstrem (siç ishte rasti i muajit janar të këtij viti).
Burimi: Giuseppe Figliola nga FaceWeather.it dhe MeteoTirana.