Rikthimi i motit të qëndrueshëm në Mesdhe.
Gjysma e parë e muajit nëntor solli një ndryshim të ndjeshëm të motit krahasuar me muajin që lamë pas. Tetori u mbyll me një devijim prej -1.27°C nga mesatarja klimatike, ndërsa nga pikëpamja e reshjeve muaji u mbyll me 56.6 mm shi krahasuar me mesataren e 113.75 mm, duke vazhduar kështu në gjurmët e këtij viti të thatë. Muaji aktual filloi gjithashtu me temperatura të ulta krahasuar me mesataren e periudhës të cilat pësuan një ngritje të lehtë kryesisht javën e kaluar, duke sjellë mesataren aktuale mujore në linjë me mesataren klimatike, edhe pse kjo e dhënë me siguri do të ndryshojë në ditët në vijim.
Konfigurimi barik i këtyre dy javëve ka shfaqur anomali të theksuara negative të presionit atmosferik në Mesdheun qendror, duke favorizuar zbritjen nga veriu të rrymave të lagështa me origjinë oqeanike. Këto të fundit gjatë këtyre dy javëve kanë formuar qendra presioni të ulët të njëpasnjëshme në rajonin tonë duke sjellë një sasi të madhe reshjesh në një periudhë relativisht të shkurtër. Në qytetet e Tiranës dhe Shkodrës reshjet e regjistruara kanë qenë respektivisht 88.0 mm dhe 86.6 mm.
Moti i paqëndrueshëm i ka lënë gradualisht vendin stabilizimit të kushteve atmosferike. Një tjetër dishezë e shpejtë e rrymave të freskëta dhe të lagështa ditët në vijim, siç mund të vihet re prej imazhit të më poshtëm, do të limitohet në lindje të kontinentit dhe veri të gadishullit Ballkanik. Për rrjedhojë reshjet intensive do të mungojnë, përjashtuar një kalim vranësirash mes mbrëmjes të së dielës dhe orëve të para të së hënës. Ajo çfarë pritet me siguri është një ulje e temperaturave, nën vlerat mesatare të periudhës, duke filluar prej ditës së nesërme e të paktën deri në mesin e javës së ardhshme.
Në vijim një qëndër e presionit të ulët mbi oqeanin Atlantik do të thellohet falë lëvizjes retrogresive të masave polare në veri të kontinentit , duke favorizuar rikthimin e anticiklonit subtropikal mbi kontinentin europian; një konfigurim i kundërt barik në raport me atë të dy javëve të para të nëntorit. Gjithashtu pritet një ngritje temperaturash dhe mot i qëndrueshëm të paktën deri rreth datës 25-26 nëntor. Vijimi mbetet ende i paqartë por në vija të trasha mund të thuhet se pritet një rikthim i masave të lagështa Atlantike në Europë rreth fundit të muajit. Gjithashtu përjashtuar surpriza të pagjasa, muaji nëntor në vendin tonë do të mbyllet në linjën e mesatares klimatike si në aspektin e reshjeve edhe në atë termik.