Vështrim mbi evolucionin meteorologjik 5-15 dhjetor.
Kushtet meteorologjike gjatë ditëve në vijim në vendin tonë shkojnë drejt një stabilizimi të përkohshëm. Largimi i masave të paqëndrueshme në drejtim të lindjes do ti hapë rrugën rritjes së presionit atmosferik duke filluar nga perëndimi i kontinentit.
Në rajonin tonë gjithsesi, pritet tranzitimi i shpejtë i një rryme ajri të ftohtë arktike nga veriu i kontinentit gjatë të martës dhe të mërkurës. Si rrjedhojë do të kemi një rënie të lehtë të temperaturave të cilat do të zbresin në vlera disi më të ulta sesa mesatarja. Në zonat malore ato do të variojnë nga -4°C në 4°C, në zonat e ulta nga -1°C në 10°C dhe në bregdet nga 2°C në 12°C.
Gjatë kontrastimit të këtyre rrymave të ftohta me ajrin e lagësht ende prezent në lindje dhe juglindje të vendit nuk përjashtohen reshjet kalimtare të dëborës, gjithnjë në lartësitë mbi 8-900 metra nga niveli i detit.
Një vështrim hemisferik i orëve në vijim është i vlefshëm për të sqaruar situatën që do të mbizotërojë në kontinentin Europian gjatë ditëve të ardhshme. Në brigjet e Paqësorit Lindor në kontinentin Amerikano-verior do të kemi një forcim të ndjeshëm të Anticiklonit të Paqësorit Verior (e ashtuquajtura Wave 1 planetare). Kjo do të shkaktojë thellimin e lobit kanadez të Ciklonit Polar teksa një qendër e presionit të ulët do të izolohet në oqeanin Atlantik duke ngritur si pasojë Anticiklonin e Azoreve (e ashtuquajtura Wave 2 planetare) në lartësitë veriore, në drejtim të Groenlandës.
Depërtimi i ajrit të ngrohtë oqeanik në lartësitë veriore do të shkaktojë të ashtuquajturin frenim zonal ose ndryshe një ngadalësim anormal i valëzimit të Ciklonit Polar në zonën e Atlantikut. Kundërpërgjigja e shkaktuar do të jetë depërtimi edhe njëherë i rrymave polare në drejtim të kontinentit Europian. Zbritja e këtyre rrymave mbi rajonin e Mesdheut pritet të kulmojë me formimin e një qendre të presionit të ulët atmosferik mbi zonën veriore të gadishullit Apenin pasditen e së premtes. Thellimi i këtij cikloni dhe lëvizja e tij natyrale drejt lindjes pritet të sjellë fillimisht reshje e më pas një ulje të temperaturave në rajonin e Mesdheut Qëndror ku përfshihet dhe vendi ynë.
Moti në fundjavë. Shqipëria pritet të përfshihet nga reshje shiu me intensitet mesatar gjatë të shtunës dhe të dielës. Gjatë këtij fronti të parë temperaturat do të jenë në vlerat mesatare ose lehtësisht nën to. Fillimisht reshjet e dëborës do të jenë prezente vetëm në zonat malore mbi 1000 metra nga niveli i detit por me kalimin e frontit drejt lindjes dhe intensifikimin e reshjeve ato mund të jenë prezente edhe në zonat paramalore/kodrinore në lindje të vendit. Distanca kohore është ende e madhe për të përcaktuar detaje por pozicionimi i qendrës së presionit të ulët në një moment të parë duket se do të favorizojë reshjet e dëborës kryesisht në veri të vendit.
Tendenca deri më 15 dhjetor. Edhe pse ende është herët për të folur për tendencën pas fundjavës, mund të përcaktojmë një kuadër të përgjithshëm. Sipas modelit matematikor europian ECMWF priten anomali negative të theksuara të presionit atmosferik mbi kontinentin Europian dhe anomali pozitive në zonën e oqeanit Atlantik deri në mes të muajit dhjetor çfarë na bën të mendojmë se shkëmbimet ajër i ngrohtë oqeanik në drejtim të Groenlandës/ajër i ftohtë arktik në drejtim të Europës do të vazhdojnë për disa kohë. Në vija të trasha në kontinentin Europian mund të thuhet thuajse me qartësi se do të kemi përgjithësisht mot të paqëndrueshëm dhe temperatura nën mesataren e periudhës në pjesën qendrore dhe perëndimore të kontinentit, ndërsa në atë lindore ato pritet të jenë mbi mesataren e periudhës.
Një konfigurim i tillë në vendin tonë zakonisht përkthehet në periudha reshjesh intensive dhe temperatura në normë ose lehtësisht nën të. Fatkeqsisht për zonat e përmbytura situata edhe pse do të ketë një përmirësim të lehtë mbetet e rrezikshme në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Përfitojmë nga rasti për të lajmëruar banorët e zonave të rrezikuara të marrin masat e duhura. Na ndiqni në azhornimet e mëtejshme!