Ulje temperaturash dhe reshje gjatë orëve në vijim, por 2017 mbyllet me mot të kthjellët.
Java që lamë pas u karakterizua nga moti i kthjellët dhe temperatura në vlera normale ose lehtësisht nën to. Dekada e dytë e dhjetorit me një temperaturë mesatare prej 9.6°C u mbyll plot 1.1°C mbi vlerën normale, ndërsa dekada e tretë me një mestare prej 5.8°C gjendet momentalisht 2.2°C nën vlerën normale. Muaji dhjetor në tërësi aktualisht me një temperaturë mesatare prej 7.8°C është 0.7°C nën normalen klimatike 1970-00. Përsa i përket reshjeve plot 183.2 mm kanë rënë në këtë muaj duke kaluar kështu me rreth 70 mm vlerën normale.
Sot, pas një periudhe një javore anticiklonike, moti i është rikthyer paqëndrueshmërisë. Siç mund të vihet re prej imazhit satelitor, rrymat e ftohta polare në zbritje në perëndim të kontinentit kanë ndikuar në krijimin e një qendre të presionit të ulët mbi detin Ligur në Italinë veriperëndimore. Në këto momente vranësira po prek pjesën dërrmuese të gadishullit Apenin duke sjellë reshje të forta shiu. Në rajonin e Ballkanit, momentalisht rrymat e ngrohta prefrontale kanë sjellë një rritje të lehtë të temperaturave dhe reshje të izoluara në ekstremin jugor dhe atë veriperëndimor të vendit.
Orët në vijim reshjet lokale do të vijojnë në zonat e lartpërmendura, por nuk përjashtohen dhe reshje të izoluara në zonat e tjera të vendit. Orët e para të ditës së enjte fronti i organizuar i lagësht, akutalisht i gjendur mbi gadishullin Apenin, do të prekë edhe vendin tonë. Në jug të vendit reshjet me intensitet mesatar do të bien gjatë gjithë natës ndërkohë, në orët e para të mëngjesit, ato do të intensifikohen në të gjithë pjesën perëndimore të vendit. Gjatë ditës së nesërme reshjet do të perfshijnë të gjithë territorin e vendit.
Intensiteti më i lartë i shirave do të jetë në jugperëndim dhe veriperëndim të vendit. Në zonën e Alpeve dhe atë të Rivierës priten deri në 100 mm reshje, ndërsa më pak ato do të jenë prezente në qarqet e Fierit, Beratit dhe Korçës. Gjatë pjesës së dytë të ditës së nesërme, pas kalimit të frontit kryesor të lagësht, ajri i ftohtë me origjinë polare do të prekë edhe vendin tonë. Reshjet e dëborës, të cilat fillimisht do të bien vetëm në zonat malore, do të përhapen edhe në kuota më të ulëta, duke filluar nga 450 metra mbi nivelin e detit në veri të Shqipërisë, 600 metra në qendër dhe 800 metra në jug.
Gjatë ditës së premte kushtet e motit do të përmirësohen gradualisht prej perëndimit të vendit. Temperaturat do të pësojnë gjithashtu një rënie të ndjeshme si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale. Ditën e shtunë mund të kemi ende reshje të izoluara në zona të ndryshme të Shqipërisë ndërsa temperaturat minimale do të shënojnë vlera negative në një pjesë të madhe të vendit.
Ditët në vijim fronti polar mbi Europë do të largohet në drejtim të verilindjes duke favorizuar rikthimin e anticiklonit në Mesdhe. Për rrjedhojë dita e fundit e këtij viti dhe e para e vitit të ardhshëm do të sjellin mot të qëndrueshëm, ndërsa temperaturat do të rikthehen në vlerat normale të periudhës.