Çfarë është PDO – Pacific Decadal Oscillation (Luhatja Dekadore e Paqësorit)?
Zhang et al. (1997) e përshkruajnë PDO si një konfigurim jetëgjatë në ndryshueshmërinë e Paqësorit, i ngjashëm me fenomenin El-Niño. Termi PDO u shpik prej Mantua et al. (1997) në një studim që shqyrtonte rolin e temperaturave të sipërfaqes detare në sjelljen e salmonit në Paqësorin Verior. Indeksi që përdoret për të vlerësuar PDO përftohet prej anomalive mujore të temperaturave të sipërfaqes detare (njohur si anomalitë e SST) në veri të 20°N në Oqeanin Paqësor. Studime të tjera kanë nxjerrë emra të tjerë si Variacioni Dekador e Paqësorit (PDV) si dhe Luhatja Ndërdekadore e Paqësorit (IPO).
PDO përfaqësohet prej një zhvendosje e SST-ve në një cikël 20-30 vjeçar. PDO është në fazën e saj të ngrohtë (ose pozitive) kur anomalitë e SST në veriperëndim janë negative, ndërsa anomalitë e SST në Paqësorin Lindor Tropikal janë pozitive. Faza e ftohtë (ose negative) është e anasjellta e fazës pozitive, me anomali negative të SST në Paqësorin Tropikal dhe anomali pozitive në veriperëndim. Në fakt, PDO përfaqëson një ndryshim në vendndodhjen e masave të ftohta dhe të ngrohta të ujit në Paqësor, të cilat kanë ndikim në një sërë mënyrash në atmosferë. Nga ana tjetër, këto ndryshime në atmosferë japin efektet e tyre kryesisht në pjesën perëndimore të Amerikës së Veriut; efekte të cilat më pas ndihen edhe në pjesët e tjera të hemisferës veriore.
Figura 2 na tregon dukurinë e fazave pozitive dhe negative të PDO gjatë shekullit të kaluar. Një sërë studimesh (Mantua et al. 1997; Minobe 1997) sugjerojnë se gjatë 100 viteve të fundit janë regjistruar vetëm dy cikle të plota të PDO. Fazë negative e PDO është regjistruar prej 1890 deri në 1924 dhe prej 1947 deri në 1976, ndërsa fazë pozitive është regjistruar prej 1925 deri në 1946 dhe prej 1977 deri në fund të viteve ’90. Mendohet se pas kësaj periudhe filloi një ndryshim i mundshëm drejt një faze negative të PDO.
Ndikimi i fazave të ndryshme të PDO në klimë ka qenë subjekt i disa studimeve të ndryshme. Në veçanti vlen të përmenden studimet që gjejnë lidhje të rëndësishme mes PDO dhe klimës së SHBA-ve jugperëndimore. Në një sërë artikujsh, C.A.Liles i Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të SHBA në Albuquerque, New Mexico, lidh në mënyrë direkte sasinë e reshjeve në shtetin e New Mexicos me PDO. Ai nxjerr përfundimin se gjatë fazës negative të PDO hasen thatësira të mëdha në rajon. Një rezultat i ngjashëm është arritur edhe në një studim për shtetin e Arizonës, ku një lidhje e qartë është vënë re mes sasisë së reshjeve në muajt dimërorë dhe fazës së PDO. Sasia e reshjeve duket të jetë mbi mesataren gjatë fazës pozitive dhe nën mesatare gjatë fazës negative.
Shkaqet e PDO nuk njihen dhe për këtë arsye parashikimi i saj nëpërmjet modeleve matematikore nuk ka themele të forta. Gjithsesi, si pasojë e vazhdimësisë shumë-vjeçare të fazave, njohuritë mbi PDO ndihmojnë në parashikimet afatgjata vit pas viti dhe stinë pas stine. Njohja e PDO si fenomen është gjithashtu me vlerë në një aspekt shoqëror pasi ilustron mjaft mirë sesi mund të ndryshojnë kushtet “normale” klimatike në një rajon disa herë brenda një periudhe relativisht të shkurtër siç është jetëgjatësia mesatare e njeriut.