Çfarë është PNA – Pacific North American oscillation (Luhatja e Paqësorit Amerikano-Verior)?
PNA është një konfigurim alternues mes presionit atmosferik në Oqeanin Paqësor qëndor dhe qendrave barike të veprimit mbi Kandanë perëndimore dhe SHBA-të juglindore (Latif dhe Barnett 1994). PNA është një indeks i bazuar si në sipërfaqet oqeanike ashtu edhe në ato kontinentale. Tipari kryesori i këtij indeksi janë fazat e kundërta të presionit atmosferik nga njëra anë në bregun perëndimor të kontinentit amerikano-verior dhe nga ana tjetër në Paqësorin Lindor dhe SHBA-të juglindore. PNA shfaqet në mënyrë më të theksuar gjatë muajve të dimrit. Ky indeks llogaritet prej amplitudave relative të anticiklonit në perëndim të Amerikës veriore dhe cikloneve mbi Paqësorin qendër-verior dhe SHBA-të juglindore (Leathers et al. 1991).
Sipas Wallace dhe Gutzler (1981) PNA është një sistem anomalish të presionit me 4 pole. Anomali të presionit me shenjë të njëjtë hasen në jug të ishujve Aleutiane dhe SHBA-të juglindore, ndërsa anomali me shenjë të kundërt nga dy të parat hasen në afërsi të ishujve Hawaii dhe rajoni ndërmalor në Kanadanë perëndimore. Katër pikat e përdorura për llogaritjen e indeksit PNA ndodhen në a)20°N, 160°W; b)45°N, 165°W; c)55°N, 115°W; d)30°N, 85°W. Matja kryhet duke konsideruar anomalinë e normalizuar të lartësisë të presionit me vlerë 700 milibar në një stinë të caktuar.
Grafiku shfaq indeksin stinor PNA për periudhën 1950-2017. Ajo që vihet re është se faza pozitive e indeksit shoqërohet me një ciklon të fortë në zonën e ishujve Aleutiane dhe një anticiklon të fortë në Kanadanë perëndimore. Anasjelltas, në fazën negative vihet re një anticiklon i fortë në zonën Aleutiane dhe ciklone të vazhdueshme në Kanadanë perëndimore.
Një numër i konsiderueshëm studimesh kanë tentuar të lidhin indeksin PNA me anomalitë klimatike në Amerikën e Veriut. Në një studim me dy pjesë, Leathers (1991) arriti të nxjerrë një sërë lidhjesh të rëndësishme të cilat demonstronin që temperaturat rajonale dhe sasia e reshjeve në kontinentin amerikano-verior janë ngushtësisht të lidhura me fazën e PNA, sidomos gjatë muajve të dimrit. Korrelacionet mbi anomalitë në sasinë e reshjeve u provuan të ishin disi më pak të zgjeruara sesa ato të temperaturave, por sidoqoftë lidhja mes fenomeneve mbetet e qartë. Shumë autorë kanë përdorur indeksin PNA për të konfirmuar kërkime shkencore më të hershme të cilat sugjeronin një ndryshim madhor të qarkullimit të ajrit në troposferë në fund të viteve 50.
Një tjetër studim interesant (Coleman dhe Rogers në 1995) lidh ngushtësisht PNA me ecurinë e lagështisë gjatë muajve të dimrit në luginën e Ohio-s. Në këtë studim u zbulua një lidhje direkte e indeksit PNA me ndryshueshmërinë e lagështisë në zonën që shtrihet prej Missouri-t juglindor deri në Ohio, me një korrelacion shumë të lartë sidomos në shtetin e Indianës. Gjithashtu u vu re se prurjet mesatare të lumit Ohio ishin deri në 100% më të larta në dimrat e karakterizuar prej PNA negative krahasuar me ato të karakterizuar prej PNA pozitive.
Objekt i një studimi prej Isard (1999) ishte shpeshtësia e cikloneve në zonën e Liqeneve të Mëdha në kontinentin amerikano-verior. Ky studim arriti në përfundimin se ciklonet prej veriperëndimit janë më të shpeshta gjatë muajve me PNA pozitive në këtë rajon, ndërsa në muajt me PNA negative janë më të shpeshta ato prej perëndimit dhe jugperëndimit. Prej këtyre studimeve dhe të tjera si këto është evidente që PNA luan një rol të rëndësishëm në klimën e Amerikës Veriore e për rrjedhojë edhe më gjerë në Hemisferën Veriore.