Rreth nesh

MeteoTirana lindi si një nismë personale, fryt i interesit për meteorologjinë që në një moshë të vogël. Dëshira dhe kurioziteti për kushtet meteorologjike, dinamizmin e atmosferës dhe magjinë e natyrës, me ndihmën e teknologjisë së informacionit u kthyen në një pasion. MeteoTirana është në rradhë të parë dëshmi sesi ndonjëherë edhe thjesht gëzimi prej fëmije teksa shikon flokët e borës që bien mbi një qytet si Tirana ku ato rrallë herë janë prezente, mund të kthehet në një interes të thellë dhe afatgjatë. Fundja shumë pasione nuk e dimë që i kemi të tilla deri në momentin kur vihemi në kontakt me to.

MeteoTirana është frymëzuar gjatë rrugëtimit tanimë të gjatë pothuajse një dekadë të tërë nga modele eksperience dhe profesionalizmi të disa rrjeteve meteorologjike amatoriale, kryesisht në Italinë fqinje, e cila padiskutim mund të thuhet se është kampionja europiane e mbase edhe më gjerë për meteorologjinë amatoriale. E njëjta gjë mund të thuhet përgjithësisht për varësinë e tyre nga moti dhe kushtet atmosferike, “meteoropatikë modernë”, sigurisht në një kontekst pozitiv.

Synimi i MeteoTirana ka qenë që prej fillim ngjallja e një interesi tek publiku shqiptar, i cili siç rëndom ndodh në të gjitha fushat, edhe në fushën e meteorologjisë goditet vazhdimisht nga informacion gjysmak e sensacional që më lehtë do të mund të konsiderohej dizinformim. MeteoTirana ka synuar dhe do të vazhdojë të synojë një meteo-ndërgjegjësim, në një shkallë sado modeste qoftë, mbi fenomenet atmosferike, pasojat që ato kanë në shumë fusha të jetës dhe mundësimi i një shpjegimi sa shkencor aq edhe të kuptueshëm mbi “pse-në” e tyre për publikun që jo detyrimisht duhet të jetë i njohur me fushën e meteorologjisë.

Pas një sërë iniciativash të dështuara për krijim blogjesh dhe websitesh nëpërmjet palëve të treta, kurioziteti më shtyu të thelloj njohuritë e mia si në fushën e meteorologjisë ashtu edhe në atë të ndërtimit të faqeve të internetit. Falë mbështetjes të pakursyer të familjes sime për të investuar kohë dhe punë në interesat e mia u mundësua blerja e dy stacioneve meteorologjike të cilat u instaluan në qytetin e Tiranës përkatësisht në Prill 2010 dhe Shkurt 2012. Me ndihmën e vyer të amatorëve të apasionuar në anën tjetër të Adriatikut u arrit pas shumë përpjekjesh shfaqja online në kohë reale e të dhënave meteorologjike, një shërbim unik në Shqipëri, edhe pse në një format jo tërësisht profesional. Vetëm gjatë vitit 2017 u vendos një tjetër gur-themel i rëndësishëm, ai i transferimit të faqes dhe krejt bazës së të dhënave në një domain privat, shoqëruar me një rifreskim look-u të hapësirës së blogut dhe një ndryshim rrënjësor të mënyrës të shfaqjes të së dhënave falë kolegut çek Jachym Brzezina, ndërtues i platformës Meteotemplate.

Ambicia afatgjatë e MeteoTirana mbetet krijimi i një rrjeti stacionesh meteorologjike amatoriale mbarëkombëtare për ti mundësuar akses pa pagesë në kohë reale në të dhëna cilësore të gjithëve, qofshin ata njerëz puna e të cilëve ndikohet drejtpërdrejtë nga moti, studentë, njerëz të apasionuar apo thjeshtë vizitorë kalimtarë të interesuar për diçka ndryshe.

MeteoTirana
Gjithnjë me sytë nga qielli…