Ndodhte sot – 11 janar 1985
Ndodhte si sot 32 vjet më parë – e premte 11 janar 1985, në Tiranë binte borë.
Janari i vitit 1985 është një prej muajve më të ftohtë te regjistruar në kontinentin Europian në shekullin e kaluar. Vala e të ftohtit fillonte në Europën Perëndimore rreth datës 4-5 janar dhe do të përhapej më pas në të gjithë kontinentin duke prekur kështu edhe vendin tonë. Bora do të mbulonte gjithë vendin dhe më 11 janar gjithashtu kryeqytetin. Edhe pse nuk dihet me siguri për shkak të mungesës së arkivave online, temperatura minimale rekord e regjistruar në Tiranë mendohet ti përkasë janarit të vitit 1985 me një vlerë prej rreth -12°C.
Bora e 11 janarit të vitit 1985 është padiskutim eventi meteorologjik më i rëndësishëm i dimrave të dekadave të fundit në Shqipëri. Reshjet e borës do të mbulonin zonat bregdetare gjithashtu, qytete si Durrësi e Saranda, e cila jo më larg se dje, shënoi rikthimin e borës pikërisht pas 32 vitesh.
Harta e mësipërme është një rianalizim kompjuterik i kushteve meteorologjike në hemisferën veriore të atyre ditëve të janarit 1985.
Në të gjithë Europën thyheshin rekorde – prej borës në Londër, tek temperatura -12°C në Paris, prej borës në ishujt Baleare deri tek bora e ashtuquajtur “e shekullit” në Italinë veriore dhe në Romë.
Evente të tilla meteorologjike nuk janë të shpeshta dhe për rrjedhojë lenë gjurmë. E tillë me siguri do të konsiderohet në librat e historisë edhe vala e të ftohtit e javës së fundit, por për të do të sjellim një përmbledhje të detajuar ditët në vijim.
Burimi: MeteoTirana, foto Adi Darsi (pasqyre.al)
© 2017 MeteoTirana