Reshje dëbore në pjesën dërrmuese të vendit.
Gjatë orëve në vijim vranësirat do të përfshijnë territorin e Shqipërisë me shpejtësi duke filluar nga veriperëndimi i vendit. Në zonat e ulta në perëndim të vendit ajri i lagësht do të zëvëndësojë më shpejtësi ajrin arktik që mbizotëron momentalisht. Reshjet do të përhapen me shpejtësi mbi gjithë rajonin tonë gjatë orëve të para të së mërkurës dhe do të vazhdojnë me intensitet përgjatë gjithë ditës së nesërme. Ato do të bien në formë dëbore në brendësi të territorit ndërsa në perëndim dëbora do të kufizohet në lartësitë 3-400 metra mbi nivelin e detit. Në veriperëndim reshjet mund të bien fillimisht në formë dëbore edhe në zonat e ulta. Reshjet do të mbeten të dendura përgjatë pjesës së parë të ditës së nesërme dhe do të pushojnë gradualisht gjatë pasdites, duke nisur nga jugperëndimi i vendit.
Në brendësi të vendit reshjet e dëborës do të jenë të konsiderueshme. Në verilindje në luginën e Drinit dhe në juglindje në fushëgropën e Korçës pritet një shtresë e re dëbore që do të variojë sipas zonës nga 20 në 40 cm. Në zonat malore shtresa e re e dëborës lokalisht do të kalojë 70 cm, veçantërisht në malësinë e Martaneshit dhe të Dibrës. Reshjet e dëborës do të jenë të dendura edhe në vendet fqinje, veçantërisht në Maqedoninë Perëndimore dhe në rrafshin e Kosovës shtresa e re e dëborës do të kalojë 40 cm.
