Tendenca meteorologjike për vazhdimin e javës dhe fillimin e muajit shkurt.
Mbrëmjen e së dielës masat e lagështa u larguan drejt juglindjes për ti lenë vendin motit të kthjellët. Si pasojë e erërave veriore u regjistrua gjithashtu një rënie e ndjeshme e temperaturave të cilat, në brendësi të territorit, zbritën në vlera negative. Temperaturat i’u afruan zeros edhe në disa prej zonave të ulta të vendit si kryeqyteti, ku mëngjesin e sotëm u shënuan +1.5°C.
Ditën e nesërme moti do të fillojë i kthjellët gjë që do të favorizojë temperatura minimale të ulta në shumë pjesë të vendit. Në zonat malore temperaturat do të zbresin deri në -10°C; në luginat e brendshme si rajoni i Kukësit, Dibrës, Korçës e Devollit vlerat minimale do të shënojnë rreth -6°C; në zonat kodrinore ato do të jenë pak gradë nën zero dhe në zonat e ulta e në bregdet ato do të luhaten prej 1°C deri në 4°C. Duke filluar nga mesdita e së martës një front i vranët do të tranzitojë shpejtazi mbi vendin tonë prej veriut të vendit duke u dendësuar në jug të Shqipërisë. Gjatë pasdites nuk përjashtohen reshje lokale shumë të lehta prej zonës së Myzeqesë e poshtë. Në qarqet e Vlorës e Gjirokastrës reshjet e dëborës do të bien në lartëstië mbi 800-1000 metra, dhe mbi 600 metra në qarkun e Korçës. Mbrëmja e nesërme do të sjellë sërish mot të kthjellët në të gjithë Shqipërinë.Te
Gjatë ditëve në vijim dhe deri në mbyllje të muajit pritet të mbizotërojë moti i kthjellët. Temperaturat do të jenë fillimisht pak nën vlerat normale kryesisht në jug dhe në lindje të vendit, por do të rriten gradualisht në fundjave duke u rikthyer në vlera normale ose lehtësisht mbi to.
Në një këndvështrim më të gjerë mund të vëmë re se rikthimi i motit të qëndrueshëm në vendin tonë vjen si pasojë e rikthimit të fluksit polar (faza 1 në figurë) që preku Europën gjatë këtyre ditëve, në drejtim të Skandinavisë ku do të arrihet prej ciklonit që aktualisht është në dalje nga Kanadaja. Vendosja e kësaj qendre të presionit të ulët në pozicion baroklin do të favorizojë rikthimin e Anticiklonit Subtropikal në kontinentin europian (faza 2 në figurë).
Në të njëjtën kohë do të kemi një tjetër ciklon në dalje nga Kanadaja dhe fuqizimin e Anticiklonit Atlantik i cili do të shtyjë masën e formuar mbi Skandinavi drejt zonave polare (faza 3 në figurë). Kjo e fundit, nën presionin e Anticiklonit Atlantik do të shkojë në dinamikën e njohur si “cut-off” duke mundësuar zbritjen e shpejtë të një fronti të lagësht prej detit Baltik në drejtim të Mesdheut gjatë fundjavës. Për rrjedhojë zona e Mesdheut do të ketë mot të paqëndrueshëm gjatë fundjavës së ardhshme. Ky front i lagësht duket se momentalisht do të jetë mjaft në perëndim për të prekur edhe vendin tonë gjithsesi, hapësira kohore është e madhe dhe detajet mund të ndryshojnë. Për këtë do t’ju informojmë gjatë ditëve në vijim.
Me largimin e ciklonit të “cut-off” drejt Afrikës Veriore, do ti hapet rruga edhe njëherë rikthimit të Anticiklonit Atlantik mbi Europën Qëndrore dhe Mesdheun (faza 4 në figurë). Ky është gjithashtu kuadri barik në të cilin pritet të mbyllet muaji janar. Në rajonin tonë temperaturat pritet të mbeten në normë ose lehtësisht mbi to, por në Europën Perëndimore pritet një fazë me temperatura të cilat mund të arrijnë vlera deri në 5-6°C mbi normalen e periudhës.
Fillimi i muajit shkurt mund të sjellë një ndryshim të theksuar të panoramës meteorologjike. Në planin afatgjatë vihet re fuqizimi i Anticiklonit të Azoreve (e ashtuquajtura Wave 2 troposferike) mbi oqeanin Atlantik dhe për rrjedhojë lëvizja e masave ajrore të Ciklonit Polar prej perëndimit drejt lindjes. Një skenar i tillë që bëhet dita-ditës më i mundshëm do t’i hapte derën një disheze të fortë arktike mbi kontinentin Europian. Kjo e fundit, në varësi të rezistencës së Anticiklonit Atlantik do të mund të merrte brenda pak ditësh një konotacion kontinetal prej lindjes. E gjithë skema mund të rezultojë në një valë të rëndësishme të ftohti për Europën Qëndore dhe Mesdheun, por mund edhe të kemi një zbritje të rrymave arktike drejt lindjes të kontinentit, gjithnjë në varësi të rezistencës dhe pozicionimit të anticiklonit. Në favor të një Anticikloni Atlantik të fortë është momentalisht edhe indeksi AO (Arctic Oscillation/Luhatja Arktike) që pritet të arrijë vlera negative gjatë ditëve në vijim, çka mund të sinjalizojë dobësimin e Ciklonit Polar. Distanca është ende e madhe për të bërë parashikime të sakta por modelet matematike kryesore GFS/ECMWF kanë në vija të trasha një skenar të ngjashëm për fillimin e muajit shkurt.