Anticikloni dominon deri në fundjavë, më pas rikthehet moti i lagësht.
Siç pritej, pas largimit në drejtim të lindjes të frontit të lagësht të mbrëmjes të së dielës, temperaturat pësuan një ulje të ndjeshme në të gjithë vendin. Reshjet ishin prezente edhe gjatë pjesës së parë të ditës së djeshme, kryesisht në jug-lindje të vendit, ku nuk munguan dhe reshjet e dëborës. Bora e parë mbuloi gjithashtu qytetin e Korçës dhe në zona të caktuara malore trashësia arriti në mbi 20 cm. Moti në qendër dhe veri të vendit ka mbetur i kthjellët por i ftohtë. Mëngjesin e së martës temperatura minimale në qytetin e Tiranës shënoi 2.9°C, një vlerë relativisht e ulët për periudhën.
Ditët në vijim dominimi anticiklonik do të vijë duke u forcuar duke sjellë mot të kthjellët e të thatë dhe largim të masave të ftohta. Si pasojë e rrymave më të ngrohta ajrore me origjinë afrikano-veriore, temperaturat do të pësojnë një rritje të ndjeshme me vlera që mund edhe të kalojnë mesataret klimatike të periudhës. Kjo pritet të jetë situata deri në fundjavë, kur rrymat oqeanike do ti zënë gradualisht vendin anticiklonit dhe do të sjellin një rënie të presionit atmosferik duke filluar nga pjesa perëndimore e kontinentit.
Fronti i lagësht pritet të prekë rajonin tonë duke filluar nga mbrëmja e së dielës e duke vazhduar gjatë ditës së hënë. Gjatë tranzitimit të këtij fronti temperaturat do të mbeten në vlerat mesatare ose lehtësisht mbi to, rrjedhimisht reshjet e borës do të jenë prezente vetëm në zonat malore.

Fig.1: Lartësia e gjeopotencialeve në 500 hPa dhe presionit atmosferik në nivelin e detit mbi kontinentin Europian. (+120h)
Javën e ardhshme tendenca e motit në kontinentin Europian do të vazhdojë në përkeqësim. Rënia e gjeopotencialeve do të favorizojë avancimin e mëtejshëm të rrymave të lagështa oqeanike dhe atyre arktiko-polare drejt perëndimit të kontinentit. Si rrjedhojë presim që periudha e fundit të muajit dhe fillimit të dhjetorit, që përkon dhe me fillimin e dimrit kalendarik, të jetë karakterizuar nga reshje të shumta, çka është një lajm i mirë në raport me thatësirën e këtij viti. Kujtojmë se deri në momentin që flasim vendi ynë dhe rajoni në përgjithësi ka marrë vetëm rreth 80% të reshjeve në raport me vlerat mesatare. Duket se të paktën në një periudhë afatmesme 10-ditore rrymat e ftohta do të kufizohen në veri të alpeve, në perëndim të kontinentit. Sigurisht azhornime të tjera më të rëndësishme do të kemi në ditët në vijim.