Rrymat arktike përfshijnë veriun dhe perëndimin e Europës teksa moti i paqëndrueshëm rikthehet në Mesdhe.
Siç pritej, situata në zonën atlantike në perëndim të kontinentit është mjaft dinamike në këtë fillim muaji. Lobi kanadez i Ciklonit Polar është vendosur në pozicion baroklin gjë që i hap rrugën depërtimit të Anticiklonit Atlantik në veri. Masa të ngrohta ajri janë ngjitur në drejtim të detit të Veriut dhe Islandës. Kjo lëvizje nga ana tjetër ka shkaktuar një dishezë të masave arktike drejt jugut, të cilat do të tërhiqen në Mesdheun Perëndimor prej qendrës së presionit të ulët që shkoi në dinamikën e njohur si “cut-off” gjatë fundit të janarit. Orët e para të së premtes një ciklon u formua mbi detin Ligur në Mesdheun Qëndor. Ky front i lagësht pritet të lëvizë ngadalë përgjatë fundjavës drejt lindjes së kontinentit. Si pasojë, rrymat e ftohta arktike do të mbeten kryesisht në Europën Qëndrore dhe në gadishullin Iberik. Europa Juglindore ku bën pjesë edhe Shqipëria do të jetë fillimisht nën influencën e rrymave të buta prefrontale dhe gradualisht do të preket nga reshjet që do të intensifikohen në mënyrë të posaçme gjatë ditës së diel.
Prej mbrëmjes të së enjtes reshje të lehta lokale kanë prekur vendin tonë. Në zonën e Alpeve reshjet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë natës ndërsa mëngjesin e të premtes ato janë përhapur në pjesën dërrmuese të vendit. Pas mesditës reshjet e shiut pritet të pushojnë në zonat qëndrore dhe perëndimore të vendit, ndërsa gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes reshje priten vetëm në zonën e Rivierës dhe Veriut të vendit, kryesisht në zonat malore. Në të gjithë Shqipërinë era do të fryjë e moderuar prej kuadrantëve jugorë e si rrjedhojë temperaturat do të pësojnë një rritje të lehtë si gjatë të premtes ashtu edhe gjatë të shtunës. Temperaturat maksimale gjatë të premtes do të variojnë prej 6-10°C në brendësi të territorit, 12-15°C në zonat e ulta në qendër e veri dhe deri në 18°C në rajonin e Myzeqesë.
Gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës priten reshje të moderuara shiu në të gjithë territorin e vendit të cilat do të pushojnë gradualisht në qendër dhe jug të vendit por do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës në skajin verior. Mëngjesi i të shtunës do të sjellë erëra më të forta jugore veçantërisht në jugperëndim të vendit, si rrjedhojë edhe detrat pritet të jenë të trazuar. Temperaturat maksimale gjatë të shtunës priten 8-12°C nê brendësi të territorit,14-17°C në zonat e ulta dhe diçka më tepër në Myzeqe. Gjatë të premtes dhe të shtunës reshjet e dëborës do të jenë të kufizuara vetëm në lartësitë mbi 2000 metra.
Gjatë mbrëmjes të së shtunës një front i lagësht dhe i freskët do të prekë vendin tonë nga veriperëndimi e pikërisht gjatë hyrjes së këtij fronti presim dhe reshjet më të forta të kësaj fundjave. Temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme prej 7-8°C dhe reshjet e dëborës do të zbresin gradualisht deri në 1000 metra në të gjithë Shqipërinë. Dita e diel do të fillojë me kthjellime dhe alternime vranësirash fillimisht në veri të vendit e gjatë ditës në të gjithë territorin.
Me lëvizjen drejt lindjes të Europës të frontit të frontit të parë të lagësht mesdhetar, rryma gradualisht më të ftohta do të prekin edhe rajonin tonë. Në Europën Qëndore dhe atë Perëndimore rrymat e ftohta arktike do të jenë prezente gjatë gjithë javës në vijim, e për rrjedhojë temperatura mjaft të ulta priten në atë zonë të kontinentit. Gjatë fillimit të javës së ardhshme në perëndim, lobi kanadez i Ciklonit Polar do të thellohet dhe do të lëvizë drejt verilindjes duke i hapur rrugën sërish depërtimit të ajrit ngrohtë oqeanik drejt Islandës dhe Skandinavisë veriore. Në verilindje të Europës bërthama arktike do të fillojë një lëvizje retrogresive duke marrë kështu tipare kontinentale dhe duke thithur ajër akoma më të ftohtë prej Rusisë, përpara se të tërhiqet sërish në lobin kanadez të Ciklonit Polar (fragmenti i fundit i animacionit të mësipërm). Gjatë kësaj dinamike një tjetër impuls arktik do të dërgohet në drejtim të perëndimit të kontinentit duke e mbajtur kështu të gjithë zonën e Mesdheut në një kontekst moti të lagësht dhe të freskët të paktën gjatë gjithë dekadës së parë të shkurtit. Në vendin tonë java pritet të fillojë me temperatura në vlera normale dhe me mot përkohësisht të kthjellët por me shumë gjasa mesjava do të sjellë rikthimin e reshjeve në të gjithë vendin.