Moti gjatë fundjavës 2-5 mars.
Largimi i bërthamës së ftohtë drejt ekstremit perëndimor të kontinentit ka sjellë reagimin e Oqeanit Atlantik duke formuar një seri ciklonesh që do të sjellin ajër të lagësht dhe të butë në të gjithë Mesdheun përgjatë fundjavës. Edhe në rajonin tonë, rrymat e ftohta nga verilindja i kanë lënë vendin erërave të ngrohta prej kuadrantëve jugorë, të cilat kanë sjellë një rritje të ndjeshme të temperaturave me mbi 10°C.
Kështu në Ultësirën Perëndimore temperaturat maksimale ditën e sotme kanë shënuar 15°C. Në brendësi të territorit, ku erërat jugore depërtojnë me më shumë vështirësi si pasojë e barrierave malore, ajri i ftohtë mbetet ende pjesërisht i bllokuar në lugina e për rrjedhojë temperaturat kanë pësuar një rritje më pak të fortë. Kështu temperatura maksimale ka shënuar 9°C në qytetin e Korçës, 6°C në zonën e Dibrës, 1°C në Kukës, 0-2°C në Maqedoninë perëndimore dhe 0-3°C në Kosovë.
Gjatë natës të së premtes reshjet do të jenë të pranishme në veri dhe lindje të vendit, përgjatë kufirit me Maqedoninë e Kosovën. Reshjet e dëborës do të bien vetëm në zonat malore mbi 1200 metra m.n.d. Mesdita e së shtunës sjell mot të qëndrueshëm dhe kthjellime kryesisht në zonën e Myzeqesë, ndërsa gjatë pasdites, një zonë e gjerë reshjesh do të hyjë në rajonin tonë duke filluar prej brigjeve veriperëndimore të Adriatikut.
Gjatë mbrëmjes të së shtunës janë të mundshme shkarkimet elektrike dhe reshjet në formë shtrëngatash sidomos në Shqipërinë Qendrore. Në Maqedoninë Perëndimore dhe në Kosovë reshjet do të jenë më të pakta sesa në vendin tonë. Reshjet do të mbeten të pranishme dhe gjatë mëngjesit të së dielës, ndërsa pasditja do të sjellë kthjellime duke filluar nga perëndimi i Shqipërisë e për tu shtrirë gjatë mbrëmjes në gjithë rajonin.
Qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër pritet të kenë sasinë më të madhe të reshjeve përgjatë fundjavës, ku në zona të caktuara malore sasia e grumbulluar e reshjeve do të arrijë deri në 100 mm.
Gjatë të shtunës dhe të dielës temperaturat maksimale do të shënojnë deri në 16°C në jugperëndim të vendit, 12-14°C në zonat e ulta në qendër dhe veri, 6-10°C në luginat e brendshme si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe 2-6°C në zonat malore. Temperaturat minimale, përjashtuar zonat e larta malore, do të mbeten në vlera pozitive.