Siberia troket në Europë, Shqipëria mbetet në kufijtë e valës së ftohtë.
Në mes të muajit shkurt, në stratosferë u verifikua dukuria e njohur si Sudden Stratospheric Warming (Ngrohje e Papritur e Stratosferës) e shkallës Major. Kjo dukuri haset kur qarkullimi normal (perëndim-lindje) i rrymave të ajrit pengohet në shtresat më të ulta të atmosferës si pasojë e fenomeneve të ndryshme natyrore. Gjatë një eventi me magnitudë Major, temperatura në zona të caktuara të stratosferës rritet me mbi 50°C dhe erërat e njohura si westerlies (qarkullimi normal i ajrit perëndim-lindje) në lartësitë e stratosferës shndërrohen në easterlies (drejtimi lindje-perëndim).
Por çfarë ndodh në troposferë? Me kalimin e ditëve vihet re ngadalësimi i fluksit polar perëndim-lindje, ose ndryshe një bllokim atmosferik, i cili nxit aktivizimin e Anticiklonit Paqësor (Wave 1) dhe/ose atij Atlantik (Wave 2). Nëse këto anticiklone janë mjaftueshëm të fortë dhe arrijnë të depërtojnë deri në stratosferë, kushtet e stratosferës përhapen edhe në troposferë duke zëvëndësuar westerlies me easterlies. Pikërisht kjo ndodhi gjatë ditëve të kaluara. Ngrohja në stratosferë solli aktivizimin e anticiklonit të fortë Atlantik që depërtoi deri në Siberinë lindore, në zemër të Ciklonit Polar dhe bllokoi kështu qarkullimin normal të ajrit e për rrjedhojë rrymat e lagështa perëndimore. Në këtë mënyrë bëhet e mundur që masa të akullta siberiane të lëvizin me shpejtësi drejt kontinentit europian në mënyrë antizonale (prej lindjes drejt perëndimit). Ky është një event historik për Europën që ndodh vetëm 1 ose 2 herë në një dekadë.
Në perëndim, lobi kanadez i Ciklonit Polar, është gjithashtu subjekt i ndryshimit të qarkullimit normal të ajrit: nga perëndim-lindje në lindje-perëndim. Si rrjedhojë është në lëvizje prej Amerikës Veriore drejt Siberisë Lindore. Vendosja e Ciklonit Polar në këtë pozicion favorizon zgjerimin e fushës antizonale mbi Europë duke lejuar kështu depërtimin e thellë të masave siberiane, teksa në veri të kontinentit prej zonës së Groenlandës deri në Skandinavi dominon anticikloni.
Por çfarë do të ndodhë në Europë? Erëra të forta prej Siberisë do të sjellin ulje drastike të temperaturave që do të ndihen në të gjithë kontinentin. Zona më e goditur pritet të jetë Europa Qëndrore. Kulmi i të ftohtit pritet të arrihet gjatë ditës së martë kur temperaturat e ajrit në këtë zonë pritet të ulen deri në 15 gradë nën vlerat normale të periudhës. Erërat e akullta siberiane do të përhapen me shpejtësi në perëndim të kontinentit ku temperaturat pritet të zbresin në vlera rekord.
Masa e akullt do të lëvizë drejt Benelux-it dhe Ishujve Britanikë ku do të bjerë në kontrast me ajrin e lagësht oqeanik. Si pasojë, gjatës mesit të javës së ardhshme një ciklon i fuqishëm Atlantik do të mësyjë drejt Europës duke sjellë reshje të forta dëbore në pjesën më të madhe të Europës Perëndimore. Masat e ftohta pritet të mbeten të pranishme në qendër dhe veri të kontinentit përgjatë dekadës së parë të marsit.
Çfarë pritet në rajonin tonë? Si pasojë e kontrastit mes rrymave të akullta dhe ujrave të ngrohtë të Mesdheut do të vëmë re fortësimin e një cikloni mbi detin Tirren në Itali. Pjesa prefrontale e këtij cikloni është duke prekur aktualisht vendin tonë me reshje të lehta shiu dhe erëra nga kuadrantët jugorë. Gjatë orëve në vijim, një tjetër ciklon do të formohet mbi brigjet e Afrikës veriore dhe do të lëvizë më pas drejt detit Jon e gradualisht do të largohet në lindje të Ballkanit. Ky ciklon do të tërheqë përkohësisht ajër të ftohtë prej lindjes dhe veriut edhe në vendin tonë. Lëvizja e ngadaltë e këtij cikloni do të mundësojë që reshjet në rajon të jenë të pranishme gjatë gjithë fundjavës dhe do të vazhdojnë deri në mes të javës së ardhshme. Reshjet do të bien në formë shiu gjatë ditës së sotme dhe fillimit të ditës së dielë por me hyrjen e ajrit të ftohtë gjatë pjesës së dytë të së dielës ato do të bien në formë dëbore deri në portat e zonave të ulta.
Lëvizja e masave të tilla të ajrit është e vështirë të lexohet edhe nga superkompjuterët e qendrave meteorologjike. Në raste të tilla vihen re diferenca të mëdha mes modeleve të cilat janë vështirë të përcaktohen me saktësi deri pak orë para ngjarjes. Edhe në rastin konkret vihet re një mosdakordësi mes dy modeleve kryesore, atij europian ECMWF dhe atij amerikan GFS. Sipas ECMWF masat e ftohta të ajrit do të penetrojnë thellë gjatë ditës së dielë deri në jug të Ballkanit për rrjedhojë reshjet gjatë natës 25-26 shkurt dhe në vazhdim deri ditën e martë do të bien në formë dëbore edhe në zonat e ulta të vendit. Nga ana tjetër sipas GFS ajri i ftohtë do të kufizohet në veri dhe në brendësi të Gadishullit Ballkanik. Në një skenar të tillë reshjet e dëborës nuk do të preknin zonat e ulta (me përjashtim të veriut të vendit). Ajo që mund të thuhet është se gjatë ditëve në vijim reshjet nuk do të mungojnë dhe me siguri mbi zonat që gjenden mbi 400 metra m.n.d ato do të bien në formë dëbore në sasi të konsiderueshme. Detajet mbi zonat e ulta mbeten ende të papërcaktuara dhe për këtë arsye do t’ju mbajmë të informuar gjatë gjithë fundjavës me të rejat prej qendrave meteorologjike europiane dhe amerikane!